Drejtuesit e Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së, përmes një njoftimi kanë bërë të ditur arsyet se pse janë futur sot në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej një seancë parlamentare, duke e bllokuar seancën.
Sipas tyre, arsyeja e futjes aty është fakti se kanë kërkuar që të jetë në rend dite shqyrtimi i ligjit për Gjykatën Speciale, të cilën thonë se edhe më herët e kanë kundërshtuar, për shkak se sipas tyre, është e njëanshme dhe e dëmshme për Kosovën.
“Pas bllokimit tonë dhe thirrjes që ua bëmë deputetëve që ishin në sallë, por edhe atyre që e kishin bojkotuar, që ta fusin në rend dite këtë pikë, ata lëshuan sallën. Për ne, seancat e Kuvendit të Kosovës nuk kanë kuptim që të mbahen, pa u shqyrtuar kjo çështje me prioritet. Seancën e thirrur për të hënën, do të vazhdojmë që ta kundërshtojmë, në qoftë se nuk do të jetë në rend dite kjo pikë”, thuhet në njoftim.
Me këtë rast, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së ftojnë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të pozitës dhe opozitës, që ta marrin seriozisht këtë kërkesë tonën.
“Ftojmë Veteranët e Luftës së UÇK-së, që të na bashkangjiten me protestë para Kuvendit të Kosovës, të hënën me 6 mars 2017 prej orës 9:00”, përfundohet në njoftimin e kryesisë së OVL të UÇK-së. /Telegrafi/