Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përcolli me vëmendje seancën e parë gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ndonëse, thonë se nuk presin drejtësi nga Specialja, sipas tyre, nga ajo çka kanë parë sot në fjalën hyrëse të Prokurorit të Specializuar, janë kryesisht pretendime nga gjykime tjera, ku ish-komandant të UÇK-së janë shpallur të pafajshëm
Metush Kryeziu, ish-luftëtar i UÇK-së ka ardhur nga Malisheva për të përcjell në selinë e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, nisjen e gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tani drejton organizatën e veteranëve në Malishevë, derisa thotë proceset e tilla gjyqësore edhe më shumë se dy dekada që nga lufta, vetëm po u japin forcë.
“Nëse dënohet individi, ai sot duhet të ja lexoj aktakuzën Hashim Thacit se çfarë vrasje ka bë se jo hierarkinë e tij ushtarake. Është absurditeti tjetër ku mundohet më një plumb në sy thotë populli me i vra dy lepuj ku thotë këta të LPK-së dhe të LDK-së ku dihet se 99% e ushtarëve që janë vesh kanë qenë në LDK-së por askush nuk ka luftuar për parti por me çliruar vendin e vet dhe kjo është një përçarje që po mundohet të ja bëj kjo prokurori popullit shqiptar”, ka thënë Metush Kryeziu për RTV Dukagjinin.
Ai e shumë pjesëtarë të veteranëve janë mbledhur në selinë e OVL UÇK-së në Prishtinë për të parë gjykimin nga Haga.
“Ne nuk presim shumë nga kjo Gjykatë pasi i kemi parë vendimet e kaluara që janë marrë nga ta. Këta nuk kanë fakte fare. Këto që po i thonë ne i kemi pasur të ditura, kanë pasur njerëz të akuzuar në UNMIK, EULEX e në gjykata të tjera. Këta po akuzohen për ato që tashmë kanë kaluar si procese gjyqësore më herët, qoftë në Hagë qoftë edhe në gjykata të tjera e që në shumicën e rasteve janë shpallur të pafajshëm, si në rastin e Haradinajt, Limajt e grupi i LLapit”, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.
Pas 2 vjet e 4 muajsh që kur u arrestuan, këtë të hënë në Hagë ka nisur gjykimi kryesor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.