Site icon Telegrafi

Veteranët e UÇK-së i duan pensionet, nuk u intereson humbja e 16 milionë eurove

Republika e Kosovës do të humb 16 milionë euro kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi që më 4 gusht përfundon një marrëveshje ekonomike më këtë Fond.

Burime diplomatike kanë treguar për Gazetën Express se krejt kjo ka ndodhur pas që Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ta bindë Fondin Monetar Ndërkombëtar që një pjesë e fondeve të tyre të jepen për pensione për veteranët e UÇK-së, numri i të cilëve dyshohet të jetë i fryrë, tregojnë të njëjtat burime.

Por, Hysni Gucati, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, thotë se krejt kjo situatë është bërë për shkak të Qeverisë së Kosovës, dhe Isa Mustafës.

Sipas tij, ata e kanë neglizhuar tash e sa muaj Ligjin për veteranët dhe kategorizimin e tyre.

“Qeveria është fajtore për këtë situatë të krijuar. Ne u kemi thënë që sa muaj që të bëhet ligji dhe të bëhet kategorizimi. Kjo është neglizhuar tepër, dhe tash jemi në këtë situatë. Sikur të kishte ligj dhe kategorizim kjo nuk do të ndodhte. Kategorizimi i veteranëve është shpëtim për Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Gucati.

Ai ka treguar se Qeveria e ka obligim që t’i kryejë obligimet që ka ndaj veteranëve të UÇK-së, pavarësisht se çfarë ndodh me FMN-në.

“Neve nuk është që na intereson shumë edhe kjo çështje. Ne s’kemi faj që janë prish këto marrëveshje. Qeveria e ka fajin dhe ajo tash duhet t’i gjej parat për t’i paguar pensionet e veteranëve. Nëse kjo nuk ndodh ne mund edhe te marrim masa. Nuk është që më pëlqen të dalim në rrugë e të protestojmë, por këtë veprim ne nuk e shmangim. Mund të këtë protesta nëse s’ka pensione”, thotë ai.

Gucati ka treguar se aktualisht janë të regjistruar 31,700 veteranë të UÇK-së.

Kurse, zyrtarë të institucioneve të Kosovës gjatë ditës së premte e kanë pranuar se FMN ka ndërprerë këtë marrëveshje.

Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave në Qeverinë në largim të Kosovës, ka thënë se kjo marrëveshje nuk ka mundësi të vazhdohet dhe të negociohet për program të ri, pa formimin e Qeverisë së re.

“Rreth 16 milionë euro nuk mund të merren kredi. Misioni i FMN-së është dashur të vijë në muajin qershor. Por, për shkak të zgjedhjeve nuk ka ardhur. Pa pasur rishikim të katërt të marrëveshjes, nuk mund të merren këto kredi”, ka thënë për REL Krasniqi.

Krasniqi, ndërkaq thotë se mospranim e Kosovës në programet e FMN-së, humb besueshmërinë e Republikës së Kosovës karshi institucioneve tjera financiare ndërkombëtare dhe investitorët ndërkombëtarë.

Vendi ynë, kredinë e fundit nga FMN-ja e ka përfituar në vitin 2015, me vlerë rreth 185 milionë euro, të ndarë në tri faza, e që e fundit përfundon pas një jave.

Kosova FMN-së i është bashkuar qershorin e vitit 2009, dhe që atëherë llogaritet të ketë përfituar mbi 400 milionë euro përmes kredive.

FMN kishte kritikuar drejtuesit e shtetit se në buxhet janë paraparë 60 milionë euro për këtë kategori të veteranëve, derisa shpenzimet sipas listave të regjistrimit të tyre mund të shkojnë deri në 100 milionë./Express/

Exit mobile version