Telegrafi

Veteranët e OBRM-PDUKM-së kërkojnë dorëheqjen e Nikolla Gruevskit

Veteranët e OBRM-PDUKM-së njoftuan se do të kyçen aktivisht në gjitha aktivitetet e reformatorëve. Ish-deputetja e OBRM-PDUKM-së, Gjulistana Markovska, theksoi se ndryshimet janë fenomen natyror dhe gjithçka që fillon duhet të përfundojë.

“Është mirë që OBRM-PDUKM për një periudhë të jetë në opozitë, për ta kuptuar faktin se ku ka gabuar dhe të përmirësojë ato gabime. Ne nuk kërkojmë që ORBM-PDUKM-ja të ndahet, vetëm kërkojmë reforma të brendshme në parti, gjegjësisht dorëheqje të kryetarit Nikolla Gruevski dhe të disa personave jerë në krye të partisë”, tha Markovska, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ndërsa Mihail Panovski njëri nga anëtarët e parë të partisë, tha se lëvizje e besueshme është që OBRM-PDUKM-ja të reformohet dhe të fillojë të ndërtojë bashkëjetesë me shqiptarët dhe bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në.

“Si anëtarë të Parlamentit të parë disa partiak e njohim interesin shtetëror. OBRM-PDUKM duhet të reformohet dhe ta kap kursin euroatlantik, si dhe të gjejë parti shqiptare për koalicion, me çka do të kthehej përsëri në pushtet”, tha Panovski.

Më herët edhe disa anëtarë tjerë përveç veteranëve, kërkuan reforma në parti dhe dorëheqje të Nikolla Gruevskit./Telegrafi/