Telegrafi

Veteranët e “Brigadës 138 Agim Ramadani”: Respektoni vullnetin e banorëve në kundërshtimin e Demarkacionit

Shoqata e veteranëve të luftës së Kosharës, “Brigada 138 Agim Ramadani” nëpërmjet një komunikate ka thënë se i ftojnë deputetët e Republikës së Kosovës që të ngriten në nivelin e përgjegjësisë kushtetuese dhe me dinjitet e përgjegjësi juridike e morale ta mbrojnë shtetësinë dhe shtetin e Kosovës.

Në këtë drejtim ata i kanë bërë apel secilit deputet, që parasëgjithash të kenë para vetes interesin e Kosovës, të respektojnë siç thuhet vullnetin e banorëve në kundërshtim të Demarkacionit me Malin e Zi dhe të qetësojnë situatën politike në vend, duke mbrojtur interesat e qytetarëve të Kosovës.

Kjo është komunikata e plotë:

R E P U B L I K A E K O S O V Ë S

SHOQATA E VETERANËVE TË LUFTËS SË KOSHARES

“BRIGADA 138 AGIM RAMADANI”

PRISHTINË

31 Gusht 2016

KOMUNIKATË PËR MEDIA

Ne bashkëluftëtarët, veteranët e Brigadës “138 Agim Ramadani”, duke respektu gjakun e dëshmorëve, që sot prehen në tokën tonë, e që u rreshtuan si gur i parë kufirit të shtetit të Kosovës:

I ftojmë deputetët e Republikës së Kosovës, të ngriten në nivelin e përgjegjësisë kushtetuese dhe me dinjitet e përgjegjësi juridike e morale ta mbrojnë shtetësinë dhe shtetin e Kosovës, vijëzuar me gjakun , mundin dhe sakrificën tonë nëpër shekuj.

I bëjmë me dije se, ne veteranën me shumë shqetësim po i përcjellim zhvillimet e fundit, të cilat kanë manifestuar tensione dhe polarizime të skajshme. Ndaj kërkojmë që deputetët të jenë të pavaruar në përcaktimin e votës së tyre kundër dhe në harmoni të plotë me detyrimet kushtetuese në ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë së territorit të Kosovës.

I bëjmë apel, secilit deputet të popullit, që parasëgjithash të ketë para vetës, interesin e Kosovës, të respektoni, vullnetin e banorëve në kundërshtimin të këtij demarkacioni dhe të qetësoni situatën politike në vend duke mbrojtur interesat e qyetarëve të Kosovës.(sic) /Telegrafi/