Site icon Telegrafi

Vetëm poeti ka hirin e artit, të tjerët papagallizojnë

Lasgush Poradeci

Me qenë që vetëm poetit i është dhuruar hiri i artit, vetëm ky mund të bëjë art dhe vetëm ky mund të flasë: ky atëhere flet nga vetëvetja, jo si të tjerët që papagalizojnë (thonë ç’thanë të tjerët).

Ay që flet nga vetëvetja, gjithnjë mund të na thotë diçka të mirë. E vërteta është se gjithnjë, artistët janë ata që kanë gjykuar së pari një vepër arti (p.sh. Boccachio-ja mi Divinën Komedi) dhe pastaj kanë ardhur eruditët me syza që kanë bërë kritikat e tyre në historira literature, po dyke marë për bazë ç’thanë ata artistë.

Dhe njeri repeton tjetrin. Përveç artistit, që krijon dhe shijon artin, ka dhe dashuronjësit e artit. Këta, dashuronjësit, e ndjejnë, po s’e bëjnë dot.

Ndryshimi është se artisti dhe e shpren në formë artin, kurse ata që e ndjejnë artin nuk mundin dhe t’a shprehin. Ay që e ndjen, duhet të jetë si artisti dhe ay d.m.th. të ketë një respekt përpara artit, të mos jetë zevzek ose intrigant urrejtës.

Kur është me këto defekte, d.m.th. se nuk ka dhuratën për të ndjerë artin, atë art që e kritikon nga urrejtja, pra nuk ka të bëjë asgjë me artin dhe s’është kompetent dhe duhet të heshtë, sepse gjykimi i artit është absolut – drejtësi e përgjithëshme, jo relative, urrejtje vetore, shkak vetor.

Nuk duhet të ketë hasét vjershëtorin, se vjershëtori bën poezi, sepse, kur je vjershëtor, s’ke ndonjë meritë të veçantë që të jesh më lart se të tjerët që s’janë. Ti ke dhuratë dhe asgjë tjetër (kurse ay s’ka).

Vetëm kur s’ke as dhuratë krijimi, as ndjenjë, domethënë kur je gjysmak (domethënë kategori ndërmjetëse) këtu vjen gjëma: atëhere urren, dhe në urrejtje gjykon shtrëmbër. Prova? Bëhet me poezitë e mbëdhaja.

Exit mobile version