Telegrafi

Vetëm një pikë për Juven

Rrjetat mbetën të paprekura në fraksionin e parë. Ekipi mysafir me një organizim mjaft të mirë, arriti që t’i ballë sulmit të skuadrës vendase që edhe ashtu ishte i zbehtë.

Në minutat e parë të pjesës së dytë, Caceres pati një rast të mirë, por goditja e tij u mbrojt nga Frey.

Pas ofensivës së vendasve, mbrojtja e Genoas u thye dhe erdhi goli i avantazhit. Vucinic dërgoi një top drejt Lichtsteiner, i cili asistoi te Fabio Quagliarella që entuziazmoi tifozët vendas (54’).

Inkuadrimi i Marco Borriellos në fushë u tregua i suksesshëm. Ish-sulmuesi i Juventusit e barazoi rezultatin pas një krosimi të Juraj Kuckas (68’).

Pas golit të pësuar lojtarët me fanellat bardhezi dominuan duke krijuar rast pas rasti, përmendim gjuajtjen e Lichtsteiner, goditjen e shtyllës nga Sebastian Giovinco nga gjuajtja e lirë dhe intervenimet e shkëlqyera të Frey.

Në minutat shtesë, Bianconerët u dëmtuan me mosakordimin e një penaltie në favor të tyre, pas prekjes së topit me dorë në zonë, megjithatë vetëm vendimi i gjyqtarit është valid.

Juventusi ka gjashtë pikë më shumë se përcjellësi i parë, Napoli, që me fitore eventuale kundër Parmës të dielën, do ta ngushtonte në tri pikë diferencën me liderin. /Telegrafi/