Telegrafi

Vetëm një mbushës për të gjithë celularët

Në tregun evropian aktualisht shiten mbi 30 lloj mbushësish. Krejt ata do të duhej t’i zëvendësojë një pajisje universale mikro USB, i dedikuar për kyçje të telefonit celular në kompjuter për të bartur të dhënat, por mund të shfrytëzohet edhe për mbushje të celularit.

Sipas pritjeve të prodhuesve, pikërisht kjo mënyrë e mbushjes brenda disa vitesh do të dominojë në tregun evropian, derisa tani ka një të katërtën e pjesëmarrjes, raportojnë agjencitë e lajmeve.

Në deklaratën e përbashkët, 14 prodhues janë pajtuar se standardi universal i konektorëve do të lehtësojë jetën e përdoruesve dhe të zvogëlojë volumin e mbetjeve elektronike në dhjetëra tonë në vit.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, në Evropë shfrytëzohet gjysmë miliard telefona celularë, e gjatë një viti shiten rreth 180 milionë të rinj. Kur merret parasysh se me çdo telefon të ri zakonisht duhet të blihet edhe mbushësi i ri, kjo çdo vit krijon 51.000 tonë mbeturina të panevojshme elektronike.

Mu për këtë KE në vitin 2009 është pajtuar me prodhuesit që për telefona me mundësi të bartjes së dhënave të cilët shiten në BE të zbatohen mbushësit unik.

Mbushësi i ri i përbashkët do të fillojë të zbatohet hap pas hapi dhe kjo do të varet nga shpejtësia me të cilën përdoruesit do të ndërrojnë telefonat e vjetër. Ka shumë gjasa që telefonat në të ardhmen do të shiten pa mbushës.

Edhe shoqatat evropiane të konsumatorëve janë të kënaqur sepse konektori universal do t’u mundësojë liri më të madhe përdoruesve, sepse do të mund të shfrytëzojnë telefonin celular dhe mbushësin nga prodhuesit e ndryshëm. /Telegrafi/