Marcel Sabitzer akoma nuk ka vendosur për të ardhmen afatgjate, mirëpo kohën e tij te Manchester Unitedi e ka përshkruar si një huazim deri në verë.
Futbollisti austriak u transferua nga Djajtë e Kuq në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit për t‘i mbuluar mungesat e Donny van de Beek e Christian Eriksen, të cilët kishin probleme me lëndime.
Në anën tjetër, Casemiro ka qenë i pezulluar në tri ndeshje që nga transferimi i Sabitzer duke e bërë atë lojtar të rëndësishëm për skuadrën angleze.
Porse, kur është pyetur për të tashmen dhe të ardhmen, mesfushori në pronësi të Bayern Munichut ka thënë se tash për tash është vetëm një huazim dhe se nuk e di se çfarë do të ndodhë në verë.
“Se çfarë do të ndodhë në verë, do ta shohim. Më duhej të merrja një vendim të shpejtë në janar. Isha i fokusuar në arritjen e kësaj, ishte e qartë se ishte vetëm një huazim deri në verë”.
“E marr secilën ndeshje ashtu si vjen. Jam shumë i lumtur këtu. Do të jap 100 për qind. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre, këtij klubi të mrekullueshëm dhe ndihem shumë i mirëpritur”, citon Goal fjalët e 29-vjeçarit.
Sabitzer ka kontratë me Bayernin deri në vitin 2025, që do të thotë se Unitedi duhet ta paguajë një shumë të majme për ta mbajtur në Old Trafford. /Telegrafi/