Erling Haaland padyshim që është futbollisti më i mirë i Manchester Cityt këtë edicion dhe shënuesi më i mirë.
Sulmuesi norvegjez ka realizuar 32 gola dhe ka dhuruar katër asistime në 32 ndeshje në të gjitha garat.
Megjithatë një krizë e ka norvegjezi, pasi në gjashtë ndeshjet e fundit ka realizuar vetëm një gol, atë në fitoren 1-3 ndaj Arsenalit në Emirates stadium.
Pep Guardiola ka folur për krizën që e ka kapluar sulmuesin norvegjez duke thënë se është faji i tyre që Haaland nuk po shënon rregullisht.
“Është faji ynë. Erling ka qenë i mirë gjatë gjithë sezonit. Kur mbaron një ndeshje, një sekondë më vonë, e di nëse ai ishte i përfshirë apo jo dhe kush duhet të përfshihej më shumë. Nuk kam nevojë për statistika, e di saktësisht”, tha Pep.
Tutje trajneri spanjoll ka thënë se futbollistët tjerë duhet ta kërkojnë më shumë Haalandin
“Ne duhet ta kërkojmë atë pak më shumë. Roli i sulmuesit është më i vështiri, ai është njeriu që ka dy mbrojtës rreth tij dhe me Erlingun edhe më shumë”.
“Kur mbërrita këtu, të gjithë më paralajmëruan se nuk është njësoj si Spanja apo Gjermania, mirë se erdhe në Mbretërinë e Bashkuar”, deklaroi Guardiola. /Telegrafi/