Site icon Telegrafi

Vetëm në Kosovë: Prokurorja nën hetim, shpërblehet për kontribut në sistemin e pavarur të drejtësisë (Video)

Fikrije Fejzullahu dhe Drita Hajdari janë shpërblyer me çmimin “Sali Çekaj” për kontributin e tyre në ndërtim të sistemit të pavarur të drejtësisë.

Por, e para është duke e hetuar kolegen e saj Hajdari për një kallëzim penal që është bërë ndaj prokurores speciale muaj më parë, ka mësuar KTV.

Këto i ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, Imer Beka.

Televizioni ka kontaktuar edhe me prokuroren Fejzullahu, por ajo ka thënë se “nuk ka të drejtë të flasë për këtë”.

Në Zyrën e Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, me propozim të të cilit janë shpërblyer këta prokurorë, e kanë thënë të kundërtën. Pos kësaj, prokurorja e shpërblyer ka vendim të Zyrës së Komisionit Disiplinor për sjellje të pahijshme.

Edhe kjo është konfirmuar zyrtarisht për KTV-në nga udhëheqësi i kësaj zyre, Zef Prendrecaj.

Komisioni disiplinor i KPK-së nuk ka marrë vendim ende, por ka lënë të kuptohet se do ta hedhë poshtë krejt ankesën, sepse kështu e parasheh ndryshimi që sapo është bërë në Ligjin për Këshillin Prokurorial.

Prokurorja Drita Hajdari është përmendur edhe në raportin e “Freedom House” si prokurore që ka aplikuar gabimisht Ligjin për amnisti.

Exit mobile version