Site icon Telegrafi

Vetëm “dush me ujë të ftohtë” ndërsa qyteti gjerman i Hanoverit reagon ndaj krizës së shkaktuar nga gazi rus

Qyteti gjerman i Hanoverit ka bërë të ditur se do të ndalojë “dushet me ujë të ngrohtë” në të gjitha ndërtesat publike për shkak të krizës së gazit rus.

Ky, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, është qyteti i parë i madh që ndalon ujin e nxehtë pasi Rusia uli në mënyrë dramatike furnizimin me gaz të Gjermanisë.

Gjermanëve u është thënë të presin masa gjithëpërfshirëse për reduktimin e gazit dhe tarifa shtesë në faturat e tyre të energjisë.

Dhe në një përpjekje për të kursyer energji, qyteti verior i Gjermanisë, Hanoveri, ka vendosur që uji i nxehtë nuk do të jetë më i disponueshëm për larjen e duarve në ndërtesat publike ose në dushe në pishina, salla sportive dhe palestra.

Shatërvanet publike po ndalen gjithashtu për të kursyer energji dhe nuk do të ketë drita gjatë natës në ndërtesat kryesore si bashkia dhe muzetë.

Kryebashkiaku Belit Onay tha se qëllimi ishte ulja e konsumit të energjisë së qytetit me 15% si reagim ndaj një “mungese të menjëhershme të gazit” që përbën një sfidë të rëndësishme për qytetet e mëdha.

Qyteti po ndalon gjithashtu kondicionerët portativë.

Politika është në përputhje me njoftimet nga Berlini javën e kaluar, ndërsa Gjermania garon për të krijuar rezervat e saj përpara dimrit.

Qytete të tjera – si Augsburg në Bavari – kanë prezantuar tashmë masat e tyre si fikja e shatërvaneve publike.

Objektivi i reduktimit prej 15% në Hanover përputhet me objektivin mbarë BE-së për të reduktuar varësinë nga gazi rus. /Telegrafi/

Exit mobile version