Telegrafi

Vetëm disa ditë pas lirimit, Dani Alves akuzohet me një tjetër vepër penale

Dani Alves është i lirë pasi ka paguar një garanci prej një milion eurosh, por ndërkohë ndaj tij ka nisur një çështje e re penale.

Përkatësisht, ish-futbollisti akuzohet se ka vjedhur muzikën e dy kompozitorëve brazilianë Giuliano Matheus dhe Thiago Matheus për një këngë të publikuar në vitin 2020 si pjesë e një projekti për Kombet e Bashkuara.

Një nga dy kompozitorët shpjegoi se ai e ka shkruar këngën dhe ia ka kushtuar gjyshit të tij dhe se Alves përfundoi duke i vjedhur këngën.

Lexo po ashtu Momentet e para të Dani Alves në liri, braziliani lirohet pas një viti e dy muaj prapa grilave

Dani Alves tashmë i ka mohuar akuzat. Avokatët e brazilianit shpjegojnë se të dy kanë përfituar nga popullariteti i lojtarit për t’u pasuruar ilegalisht në kurriz të tij.

“Vepra është shkruar vetëm dhe ekskluzivisht nga Daniel Alves. Teksti i këngës “Aviao” nuk ka të bëjë fare me nderimin e gjyshit të dikujt. Ata duan të pasurohen ilegalisht”, thanë avokatët e Alves.

Për kujtesë, gjykata në Spanjë dënoi Dani Alves me katër vjet e gjysmë burg në shkurt për një sulm seksual në Barcelonë më 30 dhjetor 2022.

Mirëpo, pasi kishte paguar garancinë prej një milion eurosh, ai u lirua me kusht. /Telegrafi/