Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka paralajmëruar shtim të numrit të inspektorëve të arsimit.
Nagavci përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se inspektorati i arsimit deri tash ka funksionuar me kapacitete shumë të limituara, me vetëm 30 inspektorë të cilët mbulojnë tërë Republikën e Kosovës.
“Në mbledhjen e 99 të Qeverisë, kemi votuar komisionin intervistues, për rekrutimin e 20 inspektorëve dhe shumë shpejt do të hapet konkursi. Fokusi ynë është që rekrutimi të bëhet sipas 7 fushave të kurrikulës arsimore, duke plotësuar vendet e lira me kuadrin që e kemi në mungesë”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka shtuar se për vitin e ardhshëm kanë planifikuar të pranojnë 20 inspektorë tjerë të arsimit.
“Me rritjen e numrit të inspektorëve të arsimit synojmë:
Të sigurojmë cilësi në arsim;
Të jemi me afër problemeve në shkolla;
Të kemi më shumë mundësi të monitorojmë e inspektojmë institucionet arsimore;
Të vlerësojmë performancën e mësimdhënësve, drejtorëve dhe zv. drejtorëve si dhe performancën e shkollës.
Me qasje gjithëpërfshirëse e shumë dimensionale do të përmirësojmë cilësinë në arsim”, ka shkruar Nagavci. /Telegrafi/