I dyshuari për sulm ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi, Fitim Thaqi është vetëdorëzuar në stacionin e Policisë nr. 2 në Prishtinë.
Ai ka mohuar se sulmi ka ndonjë motiv, por se e tëra thotë ka ndodhur në afekt.
Avokati mbrojtës i Thaqit, Gazmend Halilaj ka deklaruar për KosovaPress se me këshillën e tij, Thaqi është vetëdorëzuar në polici, në mënyrë që t’i kontribuojë sqarimit të situatës sa më shpejt.
Halilaj mohon që sulmi ka lidhje me shkrimet e publikuara nga gazetari Kajtazi, apo me ndonjërin nga emrat e apostrofuar në media, porse e tërë ngjarja ka ndodhur në afekt pas një fjalosjeje mes tyre.
“Ky është një rast i izoluar. Të dy personat nuk janë njohur më parë dhe nuk ka të bëjë me persona të tjerë. Është një rast që ka ndodh në afekt dhe nuk lidhet me asnjë shkrim. Besoj që Gjykata do të vendos në bazë të aspektit normativ dhe ligjor, pasi i rasti ka ndodh pas një fjalosje të shkurtër dhe ka ardhur në afekt”, ka theksuar avokati Halilaj.
Gazetari Vehbi Kajtazi është sulmuar dhe pas sulmit ka kërkuar ndihmë mjekësore.
Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Fitim Thaqin, si i dyshuar për sulm ndaj Kajtazit dhe për këtë ka kërkuar edhe ndihmën e qytetarëve, që të njoftojnë në lidhje me vendndodhjen e të dyshuarit. /Telegrafi/