Site icon Telegrafi

Vetëdorëzohen në Policinë e Shkodrës dy të akuzuarit për masakrën e Dobraçit

Janë vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës, Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, dy nga të dyshuarit e policisë si të përfshirë në masakrën e Dobraçit, ku humbën jetën katër persona.

Pas disa muajsh në kërkim, Sakica dhe Troshani vendosën të vetëdorëzohen pranë autoriteteve të policisë në Shkodër, të shoqëruar dhe nga avokati i tyre.

Atentati ndodhi në zonën e Dobracit, në rrugën Shkodër-Koplik, më datë 30 tetor, ku persona të paidentifikuar hapën zjarr ndaj një automjeti me targa kroate.

Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, u ekzekutua në vend, ndërsa Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të PD për kryebashkiak, Xhemal Bushatit, ndërroi jetë disa orë pas ngjarjes në spitalin e Shkodrës. Kalimtarja Flutura Basha, e cila po lëvizte me motor bashkë me bashkëshortin e saj, Bashkim Basha, gjithashtu u vra në sulm. Bashkëshorti ndërroi jetë 3 ditë më pas në spital.

Autorët e atentatit dyshohet se janë afruar paralelisht me makinën ku ndodheshin Hamza Lici dhe Arlind Bushati, duke hapur zjarr me breshëri plumbash për rreth 150 metra në lëvizje.

Dyshohet për tre atentatorë, dy në rolin e ekzekutorit dhe një në drejtimin e mjetit.

Sipas policisë Sakica dhe Troshani dyshohet se kanë marrë pjesë në atentat, ndërkohë që ende nuk dihet roli ekzakt i tyre në ngjarje.

Exit mobile version