Sipas burimeve jozyrtare të KosovaPress-it, në vendin e ngjarjes përveç Policisë së Kosovës mbrëmë kanë qenë të pranishëm edhe Forenzika, të cilët nuk kanë lejuar të bëhet ndonjë fotografi nga ana e qytetarëve, duke shtuar se nuk është thjesht vetëm një aksident dhe se janë duke u zhvilluar disa hetime.
Duke iu referuar këtij burimi, thuhet se në veturën aksidentuar janë gjetur edhe disa municione, që dyshohen të kenë qenë 5-6 fishekë, por jo ndonjë masë më e madhe.
Policia e Kosovës ka konfirmuar aksidentin, por japin detaje rreth dyshimeve nëse ka pasur municione apo jo, duke thënë se nuk kanë ende informacione të sakta rreth kësaj çështjeje.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë se për çdo detaj të shtuar, të gjitha mediat do të njoftohen me kohë.
Sa i përket aksidentit, ai tha se i aksidentuari është ende duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi që ka marrë disa lëndime trupore, por tani është jashtë rrezikut për jetë.
“Automjeti i përfshirë në këtë aksident është i tipit VW Golf 4 me targa të njohura për policinë dhe drejtuesi i saj ka qenë një banorë i Prishtinë me iniciale SH.K. i lindur në vitin 1977. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe kanë kryer vendshiqimin për të verifikuar të gjitha rrethanat e rastit duke përfshirë edhe dyshime tjera”, tha Hoxha.
Ai shtoi se njësitet policore janë duke vazhduar proceduar e nevojshme të kësaj ngjarjeje.