Site icon Telegrafi

Vështirohet situata energjetike, KEDS importon 700 megavat

Furnizimi me energji elektrike në Kosovë është përkeqësuar, sipas zyrtarëve të KEDS-it, për shkak të rënies së blloqeve të KEK-ut.

Pjesa më e madhe e konsumit, sipas zëdhënësit të KEDS-it, Viktor Buzhala, është duke u siguruar nga importi, pasi në prodhim vendor gjatë dy ditëve të fundit është vetëm një bllok.

“Kjo bën që prodhimi total të jetë rreth 250 megavatë për orë energji elktrike, ndërsa konsumi po shkon në mbi 1000 megavatë për orë energji elektrike”, tha ai.

Buzhala ka treguar se për të mbajtur furnizimin stabil me rrymë janë duke importuar rreth 700 megavatë për orë energji elektrike. Ai u ka bërë apel të gjithë konsumatorëve që ta kursejnë maksimalisht energjinë elektrike, shkruan Telegrafi.

“KEDS po bën maksimumin për furnizim stabil, kur importi po shkon deri në mbi 700 megavatë/orë, por ky nivel i konsumit kur prodhimi vendor është në pikën më të ulët po krijon vështirësi të jashtëzakonshme pasi sigurimi i importit është thuajse i pamundur sepse ka mungesa të mëdha edhe në rajon”, ka thënë Buzhala.

Ndryshe, në tërë Ballkanin po mbretëron një mot i acartë dhe kjo e ka rritur ndjeshëm edhe kërkesën për energji.

Përdorimi i formave alternative të ngrohjes, siç janë lëndet djegëse aty ku ka mundësi është domosdoshmëri në mënyrë që kjo situatë e paplanifikuar të tejkalohet sa më lehtë. /Telegrafi/

Exit mobile version