Serbia rrezikon të humbë miliona euro nga tregu i Kosovës pas situatës së krijuar në Beograd gjatë ndeshjes Serbi- Shqipëri.
Kjo ngjarje ka shtyrë përfaqësuesit e bizneseve dhe ata të konsumatorëve që të bëjnë thirrje për bojkotimin e produkteve serbe. Por një gjë e tillë vështirë se do të realizohet, pasi që importuesit nga Serbia nuk e kanë ndërmend të ndalin biznesin me këtë vend fqinj.
Serbia eksporton mbi 500 milionë euro në vit në tregun e Kosovës.
Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku ka thënë për Tribuna se thirrja për ndaljen e importit nga Serbia duhet t’u bëhet bizneseve dhe jo konsumatorëve.
“Serbia asnjë produkt nuk na e solli me dhunë. Janë tregtarët tanë që kanë bërë marrëveshje tregtare me arsyetimin se gjoja konsumatorit po i konvenon. Tregu i gadishullit ballkanik, atij evropian dhe botërorë kanë artikuj më cilësorë dhe më të lirë, se ato që na i ofron Serbia. Se cilat produkte do të importohen marrin vendim tregtarët, importuesit që janë bizneset e mëdha”, ka thënë Kaçaniku./Tribuna /Telegrafi/