Telegrafi

Vështirë do ta ketë Qeveria e re

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Berat Rukiqi, tha për Telegrafi se qeveria e re e zgjedhur duhet të krijoi një buxhet të qëndrueshëm. Sipas tij, do të kenë mjaftë vështirësi.

“Së pari Qeveria, duhet të krijoi një buxhet të qëndrueshëm, pastaj duhet të vazhdohet futja e kapitalit privat në kompanitë publike, reformat në ambientin biznesor dhe një politike e qartë në raport me investitorët e huaj”, theksoi Rukiqi.

Eksperti i ekonomisë, Nagip Skënderi, tha se Qeveria e re duhet të bëjë një stabilitet makroekonomik dhe sociale, për të mos pasur pakënaqësi dhe rritjen e ekonomike në mënyrë që të rritet punësimi.

Sipas tij, duhet të bëhen përpjekje që të behët anëtarësimi i Kosovës në organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe në organizatat e tjera.

“Qeveria e re duhet që të merret me stabilizimin social dhe rritjen e vendeve të punës, pasi që inflacioni në janar prej 7.4 për qind ka treguar se punët nuk janë mirë”, tha Skënderi, për Telegrafi.

Përveç këtyre qeveria e Kosovës që në start do të përballen edhe me mos respektimin e CEFTA-s dhe bllokadën e produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. /Telegrafi/