Telegrafi

Me veshjet sportive që ia dhuroi gjyshi, nipi i Muhammad Ali triumfon me nokaut në debutimin e tij profesional në boks

(Foto: Twitter/Bleacher Report)

Nico Ali Walsh, nipi i legjendës së boksit, Muhammad Ali, ka filluar ta ndërtojë emrin e tij.

Të shtunën mbrëma, 21-vjeçari regjistroi debutimin profesional në boks në Hard Rock Hotel & Casino në Catoosa të Oklahomas.

I veshur me pantallonat e shkurtra bardhezi të boksit që ia kishte dhuruar gjyshi i tij, Walsh zhvilloi meçin e kategorisë së peshave të mesme kundër Jordan Weeks.

Ai ia doli ta mposhte kundërshtarin e tij 29 vjeçar që në raundin e parë me nokaut teknik (TKO).

“Kjo i tejkaloi pritshmëritë e mia. Është diçka për të cilën kam ëndërruar. Ka qenë një rrugëtim emocional në këto muajt e fundit”.

(Foto: Twitter/ESPN)

“Nuk ka dyshim se kam menduar shumë për gjyshin tim. Më mungon dhe është një rrugëtim emocional”, ka deklaruar Walsh për CBS Sports.

Muhammad Ali që konsiderohet si boksieri më i madh në histori, vdiq në qershor të vitit 2016, pas luftës disavjeçare me sëmundjen Parkinson.

Ai ishte baba i nëntë fëmijëve duke përfshirë edhe nënën e Walsh, Rasheda Ali. Edhe vajza tjetër e tij, Laila Ali, u bë kampione e botës në boks njësoj si babai. /Telegrafi/