Veshja shndërrohet në një çështje të rëndësishme kur takimi me një mashkull rastis të jetë ditën e Shën Valentinit. Kjo ndodh për dy arsye: E para lidhet drejtpërsëdrejti me natyrën romantike të takimit dhe në të tilla raste shpeshherë femrat ndihen nën presion. Më pas kur shtohet edhe presioni që mbart një datë si Shën Valentini, atëherë psikologjikisht femra ndihet edhe më e rënduar. Është dita e të dashuruarve, prandaj pritshmëria e femrave për të kaluar një mbrëmje romantike është shumë e madhe.
Janë këto dy faktorë, të cilët kthehen në armiq të takimeve romantike, sepse femrat nën këtë trysni bëjnë gafa të look-ut duke përcjellë imazhin e gabuar te partneri. Në të tilla situata, veshja – që në çdo rast tjetër do të konsiderohej një vanitet i kotë – merr një rëndësi të veçantë. Madje shndërrohet ose në një aleat potencial, ose në armikun më të madh të takimeve të para. Prandaj veshja duhet zgjedhur me kujdes. Për shembull, një veshje ekstravagante padyshim nuk është romantike, ndaj nuk është tamam zgjedhja e përshtatshme për një takim romantik. Por femrat, duke u autosugjestionuar, kërkojnë të bëhen më joshëse, të bien më shumë në sy. Si rrjedhim, ose e ekzagjerojnë, ose gabojnë në kombinimet e ngjyrave, formave etj.
Nëse partneri nuk justifikon përkushtimin për të gjetur veshjen ideale, a nuk do të ishte më mirë që femrat në takime të vishen si në çdo rast tjetër të zakonshëm? Absolutisht jo. E rëndësishme është, që femrat të mos e ekzagjerojnë, të mos dalin jashtë tipit dhe stilit të tyre. Sidomos të mos ia përplasin lakuriqësinë paturpësisht partnerit. Të luajnë me sensualitetin duke e fshehur ose duke i lënë gjysmë të mbuluar pjesë joshëse të trupit. Kjo është një lojë joshjeje, që nxit fantazinë e meshkujve dhe që i bën femrat të parezistueshme. /Telegrafi/