Telegrafi

Përfundon protesta, Noka: Pas kësaj, pushteti nuk do ketë paqe në Tiranë

E plotësuar: Flamur Noka, nënkryetari i PD-së, ishte në krye të protestës së kësaj të hëne, u shpreh se sot ishte dita e para që mosbindja civile zbriti në rrugët e Tiranës.

Noka tha se qeveria po dridhet, ndërsa theksoi se mosbindja civile do të vazhdojë deri në vendosjen e qeverisë teknike.

“Sot ishte dita e para që mosbindja civile zbriti në rrugët e Tiranës. Regjimi narkos i tërbuar, sot mori një mesazh: Jepi zgjidhje kërkesës së qytetarëve, jepi zgjidhje qeverisë teknike, ndryshe narkosi në pushtet nuk do të ketë qetësi. Qytetarët sot i dhanë leksion Ramës.

Narkosi duhet t’i hapë rrugë një qeverie teknike. Ata janë duke u dridhur, të tërbuar pasi forca e qytetarëve iu ka kallur datën”, tha Noka.

E plotësuar: Protestuesit mblidhen te Parlamenti, policia i shpërndan me gaz lotsjellës

Policia ka shmangur përplasjen me protestuesit te Parlamenti duke përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë.

Parlamenti ishte destinaconin i radhës i ndjekur nga protestuesit e thirrura nga PD, pas Kryeministrisë, selisë së PS, Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë Tiranë ku u hodhën vazhdimisht fishekzjarre dhe molotov në drejtim të efektivëve të policisë dhe institucioneve.

Forcat e FNSH dhe Shqiponjat, që kishin blinduar më herët hyrjen e Parlamentit, kanë përdorur gazin lotsjellës duke shpërndarë militantët e PD të mbledhur para tij për të shmangur kështu të njëjtin skenar edhe në këtë institucion.

Policia e Shtetit bëri me dije se si pasojë e sulmeve me molotov dhe lëndë plasëse kanë mbetur të dëmtuar 10 efektivë të Policisë së Shtetit.

Gjithashtu bëhet me dije se të lënduar kanë mbetur dhe dy protestues, babë e bir.

Policia ka bërë thirrje për ndalimin e akteve të dhunshme dhe njofton se ka marrë masa për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në sulme.

E përditësuar: Shpërthimi i molotovëve dhe përplasjet e dhunshme me protestuesit: 10 policë të plagosur në tubimin e opozitës

Protestuesit kanë hedhur molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta në drejtim të “bluve”.

Policia ka marrë masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulmet mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, pronën publike dhe private, jetën e qytetarëve dhe të vetë punonjësve të Policisë.

Që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse.

Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie.

Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.

Policia ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.

E përditësuar: Përshkallëzohet protesta, hidhet molotov mes efektivëve: Merr flakë dhe një qytetar

Situata në protestën e opozitës ka përshkallëzuar, me përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve të forcave speciale të vendosura jashtë Bashkisë së Tiranës. Protestuesit hodhën një bombë molotov mes turmës, duke shkaktuar që forcat e rendit të përgjigjen me gaz lotsjellës.

Gjatë këtyre incidenteve, policia gjithashtu hodhi molotov drejt protestuesve, duke shkaktuar lëndimin e dy personave nga flakët. Një grua është raportuar e dëmtuar dhe po i jepet kujdesi i nevojshëm mjekësor.

Bomba molotov që goditi protestuesit dyshohet se fillimisht u hodh nga protestuesit në drejtim të forcave të rendit, por në momentin e fundit u kthye mbrapsht nga këta të fundit.

Pas përshkallëzimit të situatës dhe hedhjes së gazit lotsjellës, situata duket se u qetësua, dhe protestuesit filluan të shpërndahen. Megjithatë, tubimi i demokratëve vazhdon ende.

Protestuesit e opozitës e nisën sulmin me bombat molotov fillimisht te Kryeministria, për të vazhduar më pas drejt selisë së Partisë Socialiste. Atje, ata i vunë flakë banerit në hyrje të godinës si pasojë e sulmeve intensive me lëndë plasëse.

E përditësuar: Pas selisë së PS-së dhe Kryeministrisë, protetsuesit kanë hedhur molotov drejt godinës së Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës.

Gjithashtu disa të rinj i janë afruar derës së Ministrisë së Brendshme ku kanë tentuar që të hyjnë brenda, por pa sukses.

Ilir Meta i bashkohet protestës: Qytetarët janë revoltuar! Fundi i narko-shtetit

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta së bashku me anëtarë të partisë së tij, kanë nisur marshimin nga selia e partisë për tu bashkuar protestës para kryeministrisë.

Gjatë marshimit, Ilir Meta tha për gazetarët se pritshmëritë janë arritur, ai tha se bulevardi është plotë dhe protesta do të vazhdojë deri në arritjen e objektivave.

“Qytetartët kanë një ndiejnë të fortë revolte e cila do duket edhe në orët në vijim.

Objektivat janë përmbysja e regjimit të narko-shtetit, zgjimi i njerëzve për të rivendosur drejtësinë, sidomos pas aktit të fundit idioteskë të dënimit politik të deputetetit Ervin Salianjit, i cili kishte denoncuar lidhjet në nivelet më të larta të qeverisë me trafikun e drogës.

Me sa kam parë në media, gjithçka tregon një angazhim qytetar”, tha Ilir Meta.

I vihet zjarri selisë së Partisë Socialiste

Pasi u hodhën shashka në drejtim të godinës së Kryeministrisë, protestuesit u zhvendosën te selia e Partisë Socialiste.

Menjëherë nisi e njëjta situatë duke hedhur molotov në drejtim të godinës së Partisë Socialiste.

Zbrazet bulevardi, protestuesit drejt selisë së PS

Kur ka kaluar një orë e gjysmë nga nisja e protestës dhe pas incidenteve të dhunshme para godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë marshuar në Tiranë, duke bllokuar qarkullimin në disa akse rrugore rreth qendrës. Tashmë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është boshatisur, ndërsa protestuesit po shkojnë para godinës së Partisë Socialiste.

Gjatë rrugës janë djegur edhe kosha plehrash.

Protestuesit përplasen me policinë

Protesta e opozitës përpara Kryeministrisë ka përshkallëzuar në përplasje fizike mes qytetarëve dhe forcave të policisë.

Ishin fillimisht, deputetët e Partisë Demokratike dhe disa mbështetës të PD që u konfrontuan me efektivët e vendosur rreth perimetrit të sigurisë së Kryeministrisë.

Më pas, protesta u përkeqësua me hedhjen masive të bombave molotov dhe lëndëve piroteknike drejt godinës së Kryeministrisë dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.

Zëdhënësi i Policisë u ka bërë thirrje protestuesve përmes megafonit që të ndalojnë aktet e dhunës dhe të shmangin sulmet ndaj forcave të rendit.

Për shkak të shpërthimeve, pema përpara Kryeministrisë ka marrë flakë, por zjarrfikësit kanë arritur të neutralizojnë zjarrin në kohë.

Protesta e opozitës shqiptare, blindohet Kryeministria në Tiranë

Në ndryshim nga herët e tjera, ata janë me veshje të posaçme me kokore dhe skafandër.

Në kordon janë edhe punonjëse gra. Protesta e opozitës pritet të nisë në orën 18:00.

Ishte dënimi me 1 vit burg i Ervin Salianjit që nxiti opozitën për nisjen e një vale protestash dhe bojkoti në komisione e Kuvend.

Dy seancat e fundit në Kuvend u shoqëruan me tensione dhe përplasje të forta. Pasi kryeparlamentarja Elisa Spiropali njoftoi heqjen e mandatit të Salianjit, deputetët e opozitës bllokuan foltoren, e shkatërruan atë dhe hodhën sende në drejtim të saj.

Më pas ata morën karriget e tyre dhe i dogjën jashtë Kuvendit, ndërsa pati edhe debate deri në konfrontim fizik.

Opozita gjithashtu ka vendosur të bojkotojë të gjitha komisionet.

Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 tetor, ora 14:00, për shqyrtimin e kërkesës së ish-deputetit Ervin Salianji, për pezullim të ekzekutimit të dënimit me burg.