Telegrafi

Veseli viziton Novobërdën: E trishtueshme kur i shikon lokalet të mbyllura dhe destinacionet turistike të zbrazura

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar sot Novobërdën, ndërsa tha se është pamje e trishtueshme kur i shikon lokalet të mbyllura, si dhe destinacionet tona turistike të zbrazura, pa gjallërinë e familjeve dhe fëmijëve.

Veseli në një postim në Facebook shkruan se është e nevojshme që për hir të interesit të përgjithshëm publik të tejkalohen dallimet partiake, e pakoja të miratohet sa më shpejtë në Kuvendin e Kosovës.

Lexoni të plotë postimin e Veselit:

“Gjatë këtyre ditëve të bukura të pranverës, është pamje e trishtueshme kur i shikon lokalet të mbyllura, si dhe destinacionet tona turistike si Novobërda të zbrazura, pa gjallërinë e familjeve dhe fëmijëve. Qëndrimi në shtëpi është i domosdoshëm për ta kaluar me sukses pandeminë, mirëpo kjo gjë ka bërë që sektori i shërbimeve turistike të dëmtohet më së shumti.

Një pjesë e mirë e qytetarëve tanë që punojnë nëpër kafiteri, bare, restorante e hotele kanë mbetur pa punë gjatë kësaj periudhe.

Në pakon ekonomike që ne kemi propozuar, kemi parashikuar që një pjesë e konsiderueshme e fondit të përdoret për t’i ndihmuar bizneset e gastronomisë dhe turizmit, për ta përballuar këtë emergjencë.

Prandaj, është e nevojshme që për hir të interesit të përgjithshëm publik të tejkalohen dallimet partiake, e pakoja të miratohet sa më shpejtë në Kuvendin e Kosovës”. /Telegrafi/