Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka bërë homazhe në kompleksin përkujtimor në Reçak, për të kujtuar viktimat e njërës prej masakrave më të mëdha gjatë luftës në Kosovë.
Pas homazheve, Kryeparlamentari Veseli, duke folur në Akademinë Përkujtimore, ka thënë se janari është muaji i rënieve të mëdha, i dhimbjeve të mëdha.
“Është muaji i Reçakut, fshatit të martirizuar për lirinë e Kosovës. Sot bëhen 19 vjet nga dita e kobshme e 15 janarit të vitit 1999. Vitet po kalojnë, por kujtimi dhe përmasa e asaj dite nuk do të harrohen kurrë. Sot, ne jemi shtet i pavarur dhe sovran. Pas 1 muaji, festojmë 10 vjetorin e pavarësisë, por një gjë duhet ta kemi parasysh: Beteja e Reçakut ende nuk ka përfunduar. Kjo është beteja e drejtësisë për Reçakun. Kjo është beteja për të vërtetën e Reçakut”, ka thënë Veseli.
Kreu i legjislativit ka theksuar se varret e Reçakut presin drejtësi.
“Ata që urdhëruan dhe ekzekutuan krimin mbi Reçak ende janë të lirë. Ky është turp për drejtësinë ndërkombëtare”, është shprehur Veseli.
Ai, po ashtu, ka thënë se masakrat serbe do të dënohen.
“Masakrat serbe mbi njerëzit tonë do të dënohen, së bashku me këtë edhe kryesit dhe urdhëruesit e tyre do të dalin para drejtësisë. Shteti i Kosovës, institucionet gjegjëse, nuk do të lënë veprim pa ndërmarrë që t’i shkohet deri në fund holokaustit kundër shqiptarëve”, ka thënë Veseli. /Telegrafi/