Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka publikuar një fotografi me familjen e tij, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Familjes.
Veseli ka thënë se sot është një ditë e shkëlqyer për të bërë gjithçka që dëshironi së bashku me të dashurit tuaj, transmeton Telegrafi.
“Është dashuria e familjes ajo që e shndërron një ngrehinë me tulla e çimento në një shtëpi të ngrohtë. Një familje e shëndetshme dhe e lumtur, është shtylla e një shoqërie të suksesshme. Ne, krenohemi me familjen e fortë e të shenjtë tradicionale që kemi, e cila na ka mundësuar të tejkalojmë me sukses çdo sfidë”, ka shkruar Veseli sipër fotografisë së publikuar me familjen e tij.
Ndër të tjera, kreu i PDK-së, ka theksuar se në këtë kohë të pandemisë familja është streha që jep forcë emocionale e morale.
“Gjatë kësaj periudhe të vështirë, familja është streha që na jep forcë emocionale e morale, është institucioni që po mbron anëtarët e saj nga kriza dhe kujdeset për fëmijët e mbetur jashtë shkollës. Sot, shumë familjarë mund të jenë fizikisht larg prej jush, megjithatë, nuk ka pandemi që i largon prej zemrës tuaj”, thotë ai.
Në fund të shkrimit, Veseli ka thënë se “nuk ka dyshim që së bashku do të fitojmë kundër coronavirusit”. /Telegrafi/