Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e ka vlerësuar si hap shumë të rëndësishëm për Republikën e Kosovës, anëtarësimin e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E).
Veseli ka pohuar se arritje e marrëveshjes është lajm i gëzuar për Kosovën, transmeton Telegrafi.
“Votimi i marrëveshjes së përfshirjes së Operatorit tonë të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) në Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit të Energjisë (ENTSO –E) është një lajm shumë i gëzuar për Kosovën. Ky anëtarësim është produkt i përpjekjeve tona të mëdha shumëvjeçare dhe do të mundësojë një integrim të plotë të vendit tonë në tregun rajonal dhe atë europian të energjisë elektrike. Për më tepër, ky vendim i hap rrugën edhe funksionalizimit të autostradës energjetike Kosovë – Shqipëri, e cila për vite me radhë ka qenë padrejtësisht e bllokuar”, ka shkruar ai.
Veseli në fund të shkrimit ka falënderuar KOSTT-in, si dhe në veçanti Ambasadën e SHBA-ve dhe atë të Gjermanisë, që sipas tij i qëndruan shumë afër Kosovës me mbështetje politike dhe teknike në këtë proces./Telegrafi/