Site icon Telegrafi

Veseli u premton banorëve të Doganajt zgjidhjen e problemit të rrugës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadr Veseli,  ka takuar sot banorët e fshatit Doganaj në Kaçanik për të zgjidhur kërkesën e tyre për rregullimin e rrugës lokale që është dëmtuar gjatë punimeve të Autostradës Prishtinë-Shkup.

Në këtë takim ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës, Kryeparlamentari Kadri Veseli kërkoi që kërkesat e banorëve për këtë rrugë të plotësohen menjëherë dhe rruga të kthehet në gjendjen e mëparshme.

Përveç kësaj rruge, Veseli i siguroi banorët se do të ketë edhe investime tjera në këtë zonë.

“Bashkë me kryetarin e Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi dhe përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës takuam banorët e fshatit Doganaj, me të cilët diskutuam dhe u pajtuam për kërkesën e tyre që rruga e dëmtuar gjatë punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” të rregullohet shumë shpejt. Përveçse u zotuam për zgjidhjen e menjëhershme të këtij problemi, banorët i siguruam se në këtë zonë të rëndësishme të Kosovës do të ketë investime të vazhdueshme infrastrukturore dhe ekonomike”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook, pas takimit me banorët e fshatit Doganaj në Kaçanik. /Telegrafi/

 

Exit mobile version