Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli ka vendosur tu drejtohet të gjitha vendeve mike të Kosovës nëpërmjet një letre për të kërkuar nga to miratimin e një rezolutave që në mënyrë zyrtare njohin rolin e shtetit serb si shkaktar të krimeve kundër njerëzimit.
Veseli ka thënë se Kosova nuk do të heshtë ndaj përpjekjeve të Serbisë për të rishkruar historinë e luftës dhe masakrave që ka kryer në Kosovë.
“Një rezolutë e tillë prej vendeve mike, do të përkujtonte ngjarjet e dhimbshme për popullin tonë, do të nderonte viktimat e shumta civile dhe do të dënonte kategorikisht çdo përpjekje për ta mohuar apo ndryshuar atë pjesë të errët dhe të dhimbshme të historisë bashkëkohorë evropiane.
Të tilla rezoluta përkujtuese, jo vetëm ndërgjegjësojnë shoqërinë që krimet çnjerëzore si ato të luftës së Kosovës mos të përsëriten më, por i kontribuojnë edhe pajtimit ndër-etnik i cili është i pamundur nëse nuk thuhet e vërteta”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.
Deklarata e plotë e Kadri Veselit:
Kosova nuk do të heshtë ndaj përpjekjeve të Serbisë për të rishkruar historinë e luftës dhe masakrave që ka kryer në Kosovë. Me rastin e 20 vjetorit të luftës së Kosovës dhe duke pasur parasysh tendencën e qeverisë së Serbisë për të mohuar krimet e bëra, kam përgatitur një letër drejtuar Parlamenteve të vendeve mike për të kërkuar prej tyre hartimin e rezolutave që në mënyrë zyrtare njohin rolin e shtetit serb si shkaktar të krimeve kundër njerëzimit. Një rezolutë e tillë prej vendeve mike, do të përkujtonte ngjarjet e dhimbshme për popullin tonë, do të nderonte viktimat e shumta civile dhe do të dënonte kategorikisht çdo përpjekje për ta mohuar apo ndryshuar atë pjesë të errët dhe të dhimbshme të historisë bashkëkohorë evropiane. Të tilla rezoluta përkujtuese, jo vetëm ndërgjegjësojnë shoqërinë që krimet çnjerëzore si ato të luftës së Kosovës mos të përsëriten më, por i kontribuojnë edhe pajtimit ndër-etnik i cili është i pamundur nëse nuk thuhet e vërteta./Telegrafi/