Telegrafi

Veseli: Trump do të jetë kurorëzues i ulëses së Kosovës në OKB

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se është i bindur që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump do të jetë kurorëzues i ulëses së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Këshillin e Sigurimit.

Veseli këtë deklaratë e bëri në një konferencë për media, ku tha se presidenti Trump në letrën dërguar presidentit të vendit, Hashim Thaçi i ka bërë nder Kosovës.

Ai theksoi se Kosova duhet të jetë falënderuese Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Presidenti Trump i ka bërë nder Kosovës. Për atë arsye duhet të jemi falënderues. Trump do të jetë kurorëzues i ulëses së Kosovës në Këshill të Sigurimit të OKB-së”, potencoi Veseli.

Ndryshe, presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka dërguar një letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku ka kërkuar nga liderët në Kosovë që të shfrytëzojnë këtë moment të cilin ai e ka quajtur unik, të flasin me një zë dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Në këtë drejtim, ndër tjerash Trump, i ka shkruar presidentit Thaçi se SHBA-të janë të gatshme që të ndihmojnë në përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë.

Në anën tjetër Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në letrën kthyese ndaj Presidentit Trump ka thënë se liria dhe pavarësia e Kosovës, janë rezultat i luftës sonë të drejtë dhe përkrahjes së aleatëve tanë strategjikë ndërkombëtarë.

Sipas tij, Kosova është e bekuar që gëzon mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe të popullit amerikan, ku bashkëpunimi dhe miqësia jonë është e përhershme dhe reciproke.

Veseli në këtë konferencë për media ka folur edhe për qëndrimin e shefes së politikës së jashtme të BE-së. Ai tha se Mogherini ka kryer një punë të shkëlqyer në procesin e liberalizimit të vizave.

Sipas tij, fushata që po zhvillohet kundër Mogherinit në Kosovë nuk duhet të bëhet pasi siç tha ai, qëndrimi i saj është shumë pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Federica Mogherini ka kryer një punë të shkëlqyer për çështjen e liberalizimit të vizave dhe është një nga përkrahëset më të mëdha. Po e shoh një fushatë që po zhvillohet për Mogherinin për liberalizimin e vizave, por nuk është ashtu pasi Mogherini ka një qëndrim shumë pozitiv për liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.

E sa i përket ekipit negociator për dialog, Veseli tha se partitë politike opozitare e kanë obligim kushtetues të jenë pjesë e këtij procesi.

“Bartësit e institucioneve e kanë obligim kushtetues të jenë pjesë e këtij procesi. Kjo është përgjegjësi e partive politike që duhet të kenë e jo të bëjnë luftë për pushtet. Të gjithë duhet të jemi bashkë, dhe shoqëria civile. Nuk ka dialog i cili mund ta nxjerr Kosovën nga binarët e shtetësisë së vet. Serbia duhet të na njoh dhe do të na njohë”, ka thënë ndër të tjera Veseli. /Telegrafi/