Site icon Telegrafi

​Veseli paralajmëron nismë ligjore për krimet e komunizmit në Kosovë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar në Prizren ndërtesën e ish-burgut të OZN-së ku vdiqën qindra shqiptarë, si të dënuar politikë që kishin punuar për #lirimin e Kosovës nga ish-Jugosllavia.

Veseli tha se ende ekzistojnë gjurmët e dhembjes të qindra e mijëra shqiptarëve të cilët u arrestuan, torturuan dhe u vranë si të dënuar politikë shqiptarë që kishin punuar për çlirimin e Kosovës nga ish Jugosllavia.

“Sot në Prizren vizitova ndërtesën e ish burgut të OZN-ës e cila ka funksionuar gjatë viteve 1945 -1965 në këtë qytet, ku vuajtën e vdiqën qindra nacionalistë e patriot, sikurse Halim Spahia, Marije Shllaku, At Bernard Llupi, e shumë shqiptarë të tjerë. Në ambientet e brendshme të kësaj ndërtese ende ekzistojnë gjurmët e dhembjes të qindra e mijëra shqiptarëve të cilët u arrestuan, torturuan dhe u vranë si të dënuar politikë shqiptarë që kishin punuar për çlirimin e Kosovës nga ish Jugosllavia, veçmas ata që kanë kaluar nëpër zyrat e UDB-ës së Prizrenit gjatë kësaj periudhe kohore. Bazuar në të gjitha këto dëshmi të dokumentuar nga punonjës të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, është hartuar projekt propozimi i “Muzeut të Dhunës” i cili tani e tutje do të shndërrohet në muzeun e kujtesës të krimeve të komunizmit”, shkruan Veseli.

Veseli ka njoftuar se duke u bazuar në dëshmitë e dokumentuara nga punonjës të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, është hartuar projekt propozimi i “Muzeut të Dhunës” i cili tani e tutje do të shndërrohet në muzeun e kujtesës të krimeve të komunizmit.

“Unë do të angazhohem që procesi i memorizimit të së kaluarës tonë historike të rregullohet e mbrohet me ligj. Së shpejti do të iniciojmë në Kuvendin e Kosovës nismën ligjore për procesin e ndëshkimit të krimeve të komunizmit në Kosovë. Ne jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk e kemi përmbyllur këtë proces. E kemi obligim moral e shtetëror t’i njohim sakrificat e atyre që u ndoqën dhe u vranë nga regjimi komunist jugosllav. PDK do të angazhohet për drejtësi për mijëra viktima të pafajshme”, shkruan Veseli. /Telegrafi/

Exit mobile version