Telegrafi

Veseli thotë se qytetarët në veri do të jenë të sigurtë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar kandidaten për kryetare të Mitrovicës së veriut, Gonxhe Çaushi dhe kandidatët për këshilltarë të Kuvendeve Komunale për komunat veriore të Kosovës.

Ai me ta ka diskutuar vizionin qeverisës të PDK-së për zhvillimin e komunave dhe përkrahjen që duhet të vazhdojë për qytetarët që jetojnë në kushte jo të lehta në veri të Kosovës, njofton PDK, përcjell Klan Kosova.

Veseli tha se qeverisja e PDK-së nga niveli qendror do të jetë pranë qytetarëve që jetojnë në veri dhe to të vazhdojë mbështetjen e projekteve që mundësojnë kthimin e qytetarëve shqiptarë të zhvendosur nga pronat e tyre.

Ai i ftoi të gjithë qytetarët që të vazhdojnë jetën atje duke siguruar për perspektivë, zhvillim ekonomik dhe vende të reja pune.

“Adresa më e sigurt politike për qytetarët e veriut është Partia Demokratike e Kosovës e cila asnjëherë nuk do të heq dorë dhe do të punoj çdoherë për perspektivën e qytetarëve që jetojnë në atë pjesë. Shumë shpejt do të tejkalohen të gjitha pengesat dhe e ardhmja e qytetarëve tanë në veri do të jetë e sigurt”, ka thënë Veseli.

Ai i ftoi kandidatët e PDK-së në të gjitha komunat e veriut që të jenë të bashkuar dhe të bashkëpunojnë me banorët për t’i siguruar ata për përkrahje dhe për t’ua shpalosur platformën e PDK-së për qeverisjen lokale në katër vitet e ardhshme.