Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj po bëhet shumë individualist.
Veseli, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se deri më tani ka pasur një raport shumë korrekt me partnerin e koalicionit Ramush Haradinaj, por sipas tij Kryeministri ka filluar të bëhet shumë individual.
“Ajo çfarë po më pengon mua është se [Haradinaj] ka filluar të bëhet individual. Nuk ka vend që në Kosovë të vendosim vetëm qëndrimet tona dhe t’i mbajmë ato absolute. As Presidenti, as Kryeministri as unë, asnjë lider i opozitës nuk guxon të mbajë qëndrimet absolute. Ky është ai trend, që është filluar me modën e Vetëvendosjes me demarkacionin, kur njerëzit e caktuar ose liderët të flasin në mënyrë absolute. Kuvendi është organi më i lartë i Kosovës, aty duhet të debatohen gjërat”.
Kryetar i PDK-së, ka thënë se Haradinaj botërisht ka hequr dorë nga qasja e drejtpërdrejtë në dialog dhe ata bashkë kanë votuar një grup negociatorë.
Ai ka thënë se nuk pajtohet me deklaratën e Haradinajt që të mbahet një konferencë e re për Kosovën pasi do të zhvlerësohej 17 Shkurti./Telegrafi/