Site icon Telegrafi

Veseli thotë se eurodeputetët mbështesin heqjen e vizave për Kosovën

Në vazhdën e vizitës në Strasburg, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar sot takime të ndara me eurodeputetë të forcave të ndryshme politike dhe njëherësh raportues për vende të ndryshme të Ballkanit.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Veseli, në Parlamentin Evropian zhvilloi takime të veçanta me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, me kryesuesin e AFET, njëherësh Raportues për Serbinë, David McAllister, udhëheqësin e Delegacionit për BiH dhe Kosovë, Tonino Picula, udhëheqësin e grupit politik Social Demokrat (S&D) në Parlamentin Evropian, Udo Bullmann.

Në këto takime u diskutua për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova në rrugën drejt integrimeve evropiane, me fokus angazhimet e institucioneve në procesin e liberalizimit të vizave.

Më pas, kryeparlamentari Veseli ka zhvilluar takime edhe me eurodeputetët Andrey Kovatchev, Asim Ademov dhe me Angel Dzambaski.

“Kreu i Kuvendit të Kosovës i njohu eurodeputetët me arritjet e Kosovës në shumë fusha dhe përkushtimin institucional për të çuar përpara perspektivën euro-atlantike. Edhe në këtë takime ai theksoi se populli i Kosovës pret që brenda vitit t’i mundësohet lëvizja e lirë në Zonën Shengen”, thuhet në komunikatë.

Anëtarët e Parlamentit Evropian, nga ana e tyre, shprehën kënaqësinë për përparimet në Kosovë dhe falënderuan kryeparlamentarin Veseli për vizitën në Strasburg, si dhe për prezantimin e përparimeve që ka shënuar Kosova në rrugën e reformave evropiane, me theks të veçantë në përmbushjen e gjitha kritereve për liberalizimin e vizave.​

Exit mobile version