Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e sapozgjedhur të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferin, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Maqedoni e rajon, për bashkëpunimin ndërshtetëror dhe për rëndësinë e stabilitetit në mbarë Ballkanin Perëndimor.
Veseli ka shkruar në profilin e tij në Facebook se një Maqedoni shumetnike dhe unike është në interes të qytetarëve që jetojnë në të, por edhe në interes të stabilitetit rajonal.
“Me z. Xhaferi, të cilit i ofrova bashkëpunim dhe mbështetje të plotë, u zotuam se do të mbetemi të përkushtuar që të vazhdojmë të kontribuojmë që Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë të mos devijojnë nga kursi i integrimeve euro-atlantike”, ka thënë ai. /Telegrafi/