Telegrafi

Veseli: Të shtohet numri i testimeve për COVID-19, për t’i dhënë më shpejt fund karantinimit

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se Dita e Punëtorëve këtë vit na ka gjetur të izoluar si pasojë e pandemisë dhe në pamundësi për ta festuar masivisht në ambiente publike, sikurse është traditë në Kosovë.

Veseli ka thënë se pamja e rrugëve dhe shesheve të shkreta të Prishtinës në këtë periudhë, është me të vërtetë e trishtuar, e po ashtu, gjendja e dhjetëra mijëra punëtorëve të sektorit privat në këtë periudhë pandemie është shumë e vështirë.

Ai ka shtuar se merita më e madhe për nivelin e ultë të përhapjes së COVID-19 në vend, iu takon qytetarëve, përderisa ka bërë thirrje që të shtohet numri i testimeve.

Postimi i plotë:

1 maji i këtij viti na ka gjetur të izoluar si pasojë e pandemisë dhe në pamundësi për ta festuar masivisht në ambiente publike, sikurse është traditë në Kosovë. Pamja e rrugëve dhe shesheve të shkreta të Prishtinës në këtë periudhë, është me të vërtetë e trishtuar. Po ashtu, gjendja e dhjetëra mijëra punëtorëve të sektorit privat në këtë periudhë pandemie është shumë e vështirë.

Është për të ardhur keq që nuk mund të shijohen siç duhet këto ditë të pranverës, por njëherazi, është për t’u vlerësuar shkalla e lartë e durimit dhe përgjegjësisë që shoqëria kosovare po tregon. Merita më e madhe për nivelin relativisht të ulët të përhapjes së koronavirusit në Kosovë, iu takon qytetarëve tanë të cilët kanë dëshmuar ndërgjegjësim, përgjegjësisë dhe vetë-disiplimin të lavdërueshëm.

Qytetarët e kanë bërë pjesën që iu takon, duke u përkujdesur për higjenën si dhe duke qëndruar në shtëpi për të shmangur kontaktet sociale. Tani është përgjegjësia e institucioneve shtetërore, që të shtojnë testimet për t’i dhënë më shpejt fund karantinimit e për ta rikthyer sa më parë normalitetin në vend. Gëzuar 1 majin, me besimin që së bashku do ia dalim ta tejkalojmë këtë sfidë dhe me urimin që gjithë punëtorët të kthehen sa më shpejt në punë!/Telegrafi/