Telegrafi

Veseli: Kjo festë t’i afrojë njerëzit e ta largojë përçarjen

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, me rastin e festës së Kurban Bajramit, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), ndërsa tha se kjo ditë të shërbejë për të afruar më shumë njerëzit me njëri-tjetrin.

Kryeparlamentari Veseli u prit nga drejtuesit e BIK-ut, të cilët i uroi për festën e Bajramit dhe nëpërmjet tyre, të gjithë besimtarët myslimanë në Kosovë.

“Të gjithë besimtarëve myslimanë të vendit tonë, urime festa e Kurban Bajramit. Mesazhi sublim i kësaj feste të shenjtë, përfaqëson vlerat për të cilat gjithmonë kemi nevojë, humanizmin, solidaritetin dhe paqen mes njerëzve”, theksoi me këtë rast kryeparlamentarit Veseli.

Kryetari Veseli uroi që kjo ditë të shërbejë për të afruar më shumë njerëzit me njëri-tjetrin dhe për të shtuar solidaritetin ndaj njerëzve në nevojë, duke larguar përçarjet dhe urrejtjen. /Telegrafi/