Telegrafi

​Veseli: Të rikthejmë vëmendjen tek bujqësia jonë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se institucionet shtetërore duhet të marrin masa më të rrepta në mënyrë që tokat bujqësore të mbrohen dhe të mos lejohet të degradohen apo ndryshojnë destinacionin.

Sipas Veselit, situata emergjente e pandemisë, solli mbylljen e kufijve, ndalimin e rrjeteve të transportit dhe ndërprerjen e punës për shumë qytetarë, duke kërcënuar kështu seriozisht furnizimin e rregullt të ushqimit.

“Jo vetëm për Kosovën, por për mbarë botën, kërcënimi i coronavirusit solli radhët për miell a produkte të tjera dhe riktheu vëmendjen tek nevojat bazike të qytetarëve, sikurse është ushqimi i sigurt.

Prandaj, është e nevojshme që edhe ne, të rikthejmë vëmendjen tek bujqësia jonë, në mënyrë që të përmbushim sa më shumë nevojat tona me prodhime ushqimore vendore dhe të ulim sa më shumë varësinë nga jashtë.

Prandaj, duhen ndërmarrë politika stimuluese që nxisin shfrytëzimin e tokave të papunuara dhe mbrojnë fermerët vendas nga konkurrenca e pandershme e produkteve të importit”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka shtuar se institucionet shtetërore duhet të marrin masa më të rrepta në mënyrë që tokat bujqësore të mbrohen dhe të mos lejohet të degradohen apo ndryshojnë destinacionin.