Site icon Telegrafi

Veseli: Të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi takim me Johannes Hahn, komisioner për politika të fqinjësisë dhe negociata të zgjerimit i Bashkimit Evropian.

Në takim u bisedua për momentumin e ri të krijuar në raportet e Kosovës me Bashkimin Evropian, pas MSA-së dhe rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Komisioneri Hahn, duke përgëzuar kryetarin Veseli për këto dy të arritura shumë të rëndësishme të Kosovës, theksoi se mundësi të reja janë hapur për shoqërinë dhe bizneset kosovare, për të shtuar se “se të gjithë faktorët kosovarë duhet të japin përkushtimin maksimal në rrugën evropiane të Kosovës. Kjo rrugë është e sigurt, por ju duhet ta dëshmoni në vazhdimësi me punën tuaj”.

Nga ana e tij, kryetari Veseli, duke folur për momentumin e ri të krijuar në raportet Kosovë-Bashkim Evropian, theksoi se perspektiva evropianë është qëllim nacional që gëzon konsensusin e plotë të të gjithë faktorëve politikë në vend, e se institucionet e Kosovës do të përqendrojnë të gjitha energjitë e kapacitetet në përmbushjen e obligimeve që kërkon procesi i integrimeve.

“Në këtë kontekst, prioritet do t’i jepet luftës së pakompromis kundër të gjitha fenomeneve që pengojnë perspektivën evropiane të Kosovës, të tilla si korrupsioni dhe krimi i organizuar”, tha Veseli. /Telegrafi/

Exit mobile version