Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se do të nisë së shpejti procedurat për shpalljen e një dite të vitit si Dita e Gjenocidit në Kosovë.
Përveç kësaj, ai tha se do të marrë iniciativë që të ndërtohet një Memorial Qendror për viktimat e luftës në Kosovë.
Përveç Memorialit, Veseli përmendi se do të themelohet edhe Muzeu i Gjenocidit bashkë me lokacionin e saktë për ndërtimin e tij, njofton Klan Kosova.
Këto projekte ai i përmendi gjatë një seance që kishte me institucionet e drejtësisë në vend, si dhe shoqatat e familjarëve të të vrarëve në luftë, në kuadër të iniciativës së tij për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për dënimin e krimeve të Serbisë në Kosovë.
“Po flasim për një Gjykatë Ndërkombëtare për krimet e shtetit serb, të paanshme, të domosdoshme. Një Gjykate Ndërkombëtare, e cila do të gjykojë dhe dënojë krimet e kryera nga shteti i Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Këto krime qe arrijnë përmasat e gjenocidit. Janë qindra masakra të kryera nga ushtria serbe. Janë dhjetëra-mijëra civilë të vrarë, në mesin e tyre fëmijë e gra. Janë mijëra femra të dhunuara dhe 1 milion shqiptarë të dëbuar nga Kosova, në një përndjekje të ngjashme me Holokaustin e hebrenjve.
Ende, 20 vjet pas luftës, për këto masakra dhe krime nuk ka drejtësi. Sepse, Tribunali i Hagës e ka lënë të papërfunduar drejtësinë për masakrat e Serbisë në Kosovë. Po ashtu, drejtësia ndërkombëtare në Kosovë ka dështuar krejtësisht. Për fat të keq, edhe ne vetë, si Kosovë, nuk kemi bërë sa duhet – për sa i përket dokumentimit të të dhënave dhe dëshmitarëve”, ka thënë Veseli.