Në takim me strukturat e Degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Obiliq, Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, vlerësoi lartë procesin zgjedhor në këtë degë dhe ritheksoi vlerën dhe vizionin e platformës Dekada e Re, dhe njëherësh ftoi strukturat e degës të jenë pranë qytetarëve, duke ofruar vizionin e Dekadës së Re, me besim, zhvillim dhe integrim.
Kryetari Kadri Veseli, theksoi se kemi pasur proces transparent zgjedhor, andaj jemi krenar për faktin se është frymëzim dhe sukses që një parti politike në një vend si yni, të ketë kaq arritje në konsolidimin demokratik.
Ai ka potencuar se pjesëmarrja ka qenë impozante, duke dalë nga ai proces struktura drejtuese të nivelit lokal dhe qendror, andaj të gjithë kontribuuesve të këtij procesi, i shpreh falënderim, potencoi Veseli, duke cekur se pjesëmarrja e mbi 50 mijë anëtarëve për 38 degët, është vlerë dhe e arritur e PDK-së që u rikonfirmua me zgjedhjet në katër komunat në veri.
“I falënderoj qytetarët që i besojnë veprave tona. Ne marrim vendime dhe ballafaqohemi me sfida. Kjo na përmirëson çdo ditë. Përsosshmërinë e arrijmë kur marrim obligime për qytetarët, prandaj jemi partia më e madhe në vend”, tha Veseli dhe shtoi se “ne promovojmë brezin e ri që i japin energji të reja PDK-së, me angazhim e vendosmëri, me vizionin euro-atlantik. Vizioni ynë i ri, është reformator, ka qëllim transformimin e shtetit drejt zhvillimit ekonomik, BE dhe NATO, si dhe OKB, drejt të ardhmes”.
“Tribunali ka qëllim të ardhmen e Kosovës, të gjeneratave të reja. Serbia duhet të paguaj për gjenocidin, nuk do ta falim, Serbia duhet të përgjigjet. Në të njëjtën kohë, jemi për marrëveshje me Serbinë sepse duam paqe dhe perspektivë. Edhe gjykatat tona do të merren me krimet serbe. Në të njëjtën kohë, do të kërkojmë që kriminelet të përgjigjen te ne, por edhe në gjykatën ndërkombëtare”, tha Veseli.
“Angazhohemi guximshëm për ruajtjen e sovranitetit që të kemi perspektivë, që gjeneratat e reja të kenë jetë të dinjitetshme. Do të angazhohemi që të kemi vizion të njerëzve të rinj, novatorë e ndërmarrës, t’u jepet përkrahje punëtorit, që ka ide, që mund të punësojnë qytetarët tanë”, tha kryetari Veseli.
Ai potencoi se do të jenë pa kompromis kundër dukurive negative.
“Do të jemi pa kompromis ndaj dukurive negative, ne kemi guxim të ballafaqohemi me këtë sfidë dhe të marrim vendime. Ne e dimë cilat janë vendimet e mira, kjo është që kërkoj nga ju, të ofrojmë njerëz të rinj që e duan vendin, të largoheni nga njerëzit që e duan veten, s’na duhet vota e tyre. Nuk do të lejojmë padrejtësi në kuadër të strukturave, solidariteti dhe meritokracia duhet të jenë mekanizëm i nevojshëm në çdo nivel, potencoi Veseli dhe shtoi se jemi në një proces të sfidave, e dimë se kemi edhe ballafaqime çdo ditë, rinia nuk duhet ta zbeh besimin në Kosovën tonë, orientimi nga resurset humane është prioritet, orientimi nga një ekonomi drejt tregut është koncept i Dekadës së Re”, theksoi Veseli.
“Pres përkrahje, jemi secili ballëhapur dhe krenar për këtë që kemi arritur por në të njëjtën kohë të punojmë më shumë për të sotmen dhe të nesërmen. Nëse ju struktura së bashku arrijmë të bartim mesazhin te çdo qytetar, Obiliqi do t’i jep përkrahje PDK-së, dhe jam i sigurt se PDK do të jetë fitimtare këtu, ashtu sikurse edhe fituese për një dekadë në Kosovë. Po të mos ishte PDK, as ligji për Obiliqin nuk do të aprovohej. Angazhohuni që të jemi me qytetarët, të punojmë për ta dhe për të mirën tonë të përbashkët”, tha Veseli.
Nga ana tjetër, Kryetari i degës së PDK-së, në Obiliq, Lulzim Sadiku, përshkroi procesin zgjedhor i cili u zhvillua sipas standardeve dhe rregulloreve të Komisionit zgjedhor të PDK-së, ku nga 20 nëndegë, 17 prej tyre, janë kryetar të rinj të nëndegëve, me pjesëmarrjen e mbi 1100 anëtarëve.
Sadiku kërkoi përkrahje nga kreu i PDK-së Kadri Veseli për komunën e cila vlerësohet me specifika të veçanta si dhe vlerësoi lartë Ligjin për komunën e Obiliqit duke theksuar se Dekada e Re, është platformë për të gjithë qytetarët në Obiliq.