Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli tha se ky vend duhet të ketë perspektivë me të fuqishme, si identitet i vërtetë sovran dhe këtë duhet t’ia japin më 11 qershor.
Veseli në takim me qytetarë të Prishtinës, tha se çdo ditë po sheh entuziazëm tek qytetarët për konceptin e ndryshimit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit në Bashkimin Evropian.
Sipas Veselit, këtë koncept duhet jetësuar më 11 qershor dhe shtoi se kur donë populli, nuk mund ta ndal askush për të ndërtuar një perspektivë me të mirë për fëmijët e Kosovës, sepse këtë e ka treguar në luftën e fundit.
“Kur don ky popull nuk ka kush që e pengon, sepse e ka treguar. Paramendojeni në vitet e ’90-ta me çfarë agresori jemi ballafaquar. Fuqia e tretë, përkatësisht e katër më e fuqishme në kontinent. E kemi gjunjëzuar, e kemi thyer, e kemi bërë llom me UÇK-në. Kurrë më nuk do të kthehet, si qytetarë të këtij shteti të barabartë për të gjithë, por një është e qartë, jemi shqiptarë 90 për qind, nuk duhet të kemi konfuzion as polemika, ne kemi identitet të qartë kombëtar, do ta lartësojmë flamurin tonë kombëtar, në të njëjtën kohë do ta çojmë përpara flamurin e shtetit tonë, flamurin e Kosovës, sepse e kemi obligim”, tha Veseli.
Kreu i PDK-së, shtoi se tani Kosova është e lirë dhe kanë obligim që të punojnë që të krijojnë perspektivë për qytetarët e këtij vendi. E këtë, tha se do ta bëjnë bashkë me Fillimin e Ri.
“Kemi obligime për këtë vend, kemi obligime për fëmijët që po na rritën, duhet fuqimisht të orientohemi nga politikat zhvillimore, nga transformimi i fuqishëm ekonomik i këtij vendi, në mënyrë që t’i krijojmë perspektivë të rinjve tanë, e jo të kërkojnë lëmoshë jashtë Kosovës, jo të mendojnë se si të dalin jashtë Kosovës. Ne duhet t’i mbajmë me fanatizëm të rinjtë dhe të rejat në Kosovë, duhet t’i mbajmë me fanatizëm ekspertët tanë që po na largohen, duhet t’i mbajmë me fanatizëm doktorët tanë që janë të jashtëzakonshëm, mos të mësojnë kurse të gjuhës dhe të ikin nga Kosova, por të qëndrojnë këtu në Kosovë, ta shërojnë popullin tonë. E ky është fillimi i ri, këtë do ta bëjmë bashkë”, theksoi kreu i PDK-së.
Veseli përsëriti se do të ketë rritje të pensioneve për pensionistët kontributdhënës dhe jo kontributdhënës, derisa tha se do ta dyfishojnë buxhetin për bujqësinë.
Kreu i PDK-së, nuk harroi edhe gratë, duke thënë se koncepti i Fillimit të Ri nuk realizohet pa fuqizimin e gruas dhe se Kosova nuk mund të ecë përpara nëse gratë i mbajnë në shtëpi.
Ministri i Bujqësisë në detyrë, Memli Krasniqi tha se me fitoren e koalicionit, jo vetëm që do t’i japin Kosovës një fillim të ri, por do t’i japin, diçka që i ka munguar Kosovës viteve të fundit.
Krasniqi u tha qytetarëve të Prishtinës së duhet të bëhen bashkë, sepse vetëm Fillimi i Ri është opsioni për një Kosovë me të mirë, derisa paraqiti arsyet se pse dy alternativat tjera nuk janë opsione.
Krasniqi shtoi se Kadri Veseli e Ramush Haradinaj janë bërë bashkë për një fillim të ri, raporton KosovaPress. /Telegrafi/