Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli gjatë ditës së sotme ka vizituar shkollën “Jeronim de Rada” në Ferizaj, ku ka komentuar edhe darkën e mbrëmshme në shtëpinë e presidentit Thaçi.
Kryeparlamentari ka deklaruar para gazetarëve, se darka e mbrëmshme ka qenë për t’ia uruar shtëpinë e re presidentit.
“Ia uruam shtëpinë e re Thaçit”, është shprehur shkurt Veseli, transmeton Telegrafi.
Ai ka folur edhe për taksën ndaj produkteve të Serbisë, duke vlerësuar se Serbia po vazhdon të lobojë kundër Kosovës.
I pari i legjislativit, tha shkurt se vendimi për taksën do të vazhdojë të mbetet në fuqi.
“E kemi vendosur tarifën 100 për qind mbi produktet dhe mallrat serbe për shkak se Serbia na e ka imponuar një masë të tillë dhe tarifa do të qëndrojë”, tha Veseli.
Veseli komentoi edhe draft-dokumentin për kushtet që të largohet taksa, ku tha se publikimi i tij ka qenë i panevojshëm.
”Serbia nuk do duhej t’i dinte kushtet tona”, është shprehur Veseli.
Ndryshe, Kadri Veseli ka propozuar që taksa 100% ndaj Serbisë të pezullohet për 120 ditë në këmbim të disa kushteve, të cilat nëse nuk zbatohen atëherë taksa do të rikthehej. /Telegrafi/