Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh lider i PDK-së, në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve ka takuar përfaqësuesit e Unionit të Studentëve të Kosovës, me të cilët ka diskutuar për rolin e tyre të madh në shoqëri.
Veseli studentëve u ka kërkuar që të kenë vetëbesim, të jenë optimistë dhe t’i dalin zot të ardhmes së vendit.
Ky është postimi i plotë i Veselit në Facebook:
“Në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, pata një takim me përfaqësuesit e Unionit të Studentëve të Kosovës me të cilët diskutuam për rolin e madh që kanë ata në shoqëri. Studentët kanë qenë historikisht në pararojë të lëvizjes për liri e pavarësi me demonstratat e viteve 1968, 1981, 1990 dhe 1997. Edhe në të ardhmen, studentët tanë mund të luajnë një rol vendimtar në zhvillimin e ekonomisë dhe demokracisë së shtetit tonë. Ne e kemi parë se si të rinjtë tanë shkëlqejnë nëpër botë, nëse u jepet mundësia që të konkurrojnë e shpërfaqin talentin e tyre. Prandaj, u kërkova studentëve që të kenë besim te vetja, të jenë optimistë për ardhmen dhe t’i dalin zot të ardhmes së vendit tonë”. /Telegrafi/