Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është takuar me trajnerët e klubit të Barcelonës, të cilët do të punojnë me talentët e rinj kosovar për pesë ditë.
Me këtë rast Veseli, ka thënë se Kosova ka talentë për këtë sport të bukur.
“Një ndjenjë e veçantë për t’i mirëpritur trajnerët e të rinjve të klubit të famshëm futbollistik, Barcelona. Kosova ka talentë për këtë sport të bukur dhe padyshim që tanimë jemi gati që t’i japim futbollit ngjyrimin tonë”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Katër trajnerë të Akademisë së Barcelonës, së bashku me koordinatorin do të punojnë me rreth 200 fëmijë, sa edhe janë paraqitur deri të enjten për të marrë pjesë në kampin e Barcelonës “FCBEscola Soccer Camp Kosova 2016” për grupmoshat U-8, U-10, U-12 dhe U-16.
Kampi do të mbahet në stadiumin “Agron Rama” në Obiliq. Hapja e kampit të Barcelonës që mbahet për herë të parë në Kosovë do të bëhet më 21 dhe do të përfundojë më 25 maj.