Site icon Telegrafi

Veseli takon komandantin e ri të KFOR-it, e njofton për formimin e Ushtrisë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Lorenzo D’Addario, të cilin e ka uruar për detyrën e re dhe i ka ofruar bashkëpunim të plotë institucional në funksion të përmbushjes së detyrave dhe misionit të tij në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

Sipas një njoftimi, në këtë takim, Kryeparlamentari Veseli dhe komandanti i ri i KFOR-it kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet forcave të NATO-s në Kosovë dhe institucioneve kosovare.

Po sipas njoftimit, komandanti i ri i KFOR-it, D’Addario, e ka njoftuar Kryeparlamentarin Veseli për gjendjen e sigurisë në Kosovë e cila është e qetë dhe stabile, ndërsa theksoi se KFOR-i ka bashkëpunim të ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë në Kosovë.

“Veseli dhe D’Addario, po ashtu kanë diskutuar për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend dhe për të arriturat e shtetit të Kosovës në të gjitha fushat”.

“Kryeparlamentari Veseli e ka njoftuar komandantin e ri të KFOR-it për hapat përfundimtarë që do të ndërmarrë Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë muajit dhjetor për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura”.

“Veseli tha me këtë rast se Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë një forcë e përgatitur mirë, multietnike dhe aleate e denjë e NATO-s për të ofruar paqe në gjithë rajonin dhe më gjerë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version