Telegrafi

Veseli takoi ambasadorin gjerman: Samiti i Berlinit, një hap përpara për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.

Gjatë këtij takimi është diskutuar lidhur me Samitin e Berlinit, ku sipas Veselit u vlerësua se ky takim ishte një hap përpara për perspektivën evropiane të Ballkanit, e në veçanti për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Postimi i plotë i Veselit:

Në takim me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, vlerësuam se Samiti i Berlinit ishte një hap përpara për perspektivën evropiane të Ballkanit, e në veçanti për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky samit tregoi se, kur ka një vendosmëri dhe seriozitet, mund të ketë edhe rezultate dhe për këtë përgëzoj kancelaren Merkel dhe presidentin Macron.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet të ndërtojnë strategjinë e qasjes për arritjen e Marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, që rezulton me njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Republika e Kosovës mirëpret rekomandimet nga ky samit dhe do të marrë obligimet e veta në bazë të vullnetit të qytetarëve të saj, fqinjësisë së mirë dhe orientimit të vet euroatlantik. /Telegrafi/