Site icon Telegrafi

Veseli takoi zëvendëskryeministrin turk, flasin për zhvillimet në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim zëvendëskryeministrin e Republikës së Turqisë, Numan Kurtulmuş, të cilin e njoftoi për zhvillimet në Kosovë, duke u shndërruar kështu në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

Veseli çmoi lart bashkëpunimin që Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi Kombëtar i Turqisë kultivojnë ndërmjet tyre, në funksion të forcimit të miqësisë ndërmjet dy vendeve, si dhe të ngritjes së kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës, duke shfrytëzuar përvojën e çmuar dhe të gjatë parlamentare të Turqisë.

Përkrahjen ekonomike të Turqisë dhe investimet e kompanive turke në Kosovë, kryetari Veseli i konsideroi shtytje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa theksoi nevojën që bashkëpunimi në këtë fushë midis dy shteteve, të forcohet dhe zgjerohet më tej.

Veseli tha se Kosova është duke punuar maksimalisht që nga një vend konsumues, të kthehet në një vend prodhues.

Ai po ashtu falënderoi zëvendëskryeministrin e Turqisë për ndihmesën e madhe që Ankaraja zyrtare ka bërë në zgjerimin e njohjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa e konsideroi të domosdoshme që kjo mbështetje të vazhdohet edhe më tej.

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Numan Kurtulmuş, nga ana e tij, duke shprehur kënaqësinë për arritjet e Kosovës, theksoi se ajo mund të llogarisë në mbështetjen e vazhdueshme të shtetit mik turk në të gjitha fushat, ndërsa bashkëpunimi midis dy vendeve duhet të marrë dimensione të reja në fushat me interes të përbashkët.

Po sot, në kuadër të shënimit të Ditës së komunitetit turk në Kosovë, kryeparlamentari Veseli, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i Turqisë, Kurtulmuş, ministri i Qeverisë së Kosovës Mahir Yagcilar dhe deputeti Fikrim Damka, kanë takuar në ambientet e Kuvendit një grup nxënësish të këtij komuniteti.  /Telegrafi/

Exit mobile version