Në kuadër të vizitës në Bullgari, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mbajti sot një ligjëratë para studentëve të Degës së Ballkanistikës në Universitetin e Sofjes.
Kryetari Veseli me këtë rast u ka thënë studentëve se me punën, me angazhimin në mësimin e gjuhës shqipe, ata janë sot trashëgimtarët me të denjë të asaj tradite rilindase.
“Duke kultivuar gjuhën shqipe, ju në fakt, po përmbushni një mision të dyfishtë, sa human aq edhe akademik. Po afirmoni gjuhën e një kombi që jeton prej shekujsh brenda një historie të përbashkët me popullin bullgar, dhe në të njëjtën kohë, po i shërbeni, në mënyrën më të mirë, fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit e bashkëjetesës mes popujve e kulturave, në rastin konkret mes popullit shqiptar dhe popullit bullgar”, ka thënë Veseli para studentëve në Sofje.
Sipas tij duke mësuar gjuhën e njëri-tjetrit, bëhen më të afërt, e kuptojnë dhe njohin më mirë njëri-tjetrin.
“Është pikërisht izolimi gjuhësor ai që krijon paragjykime e stereotipe për njëri-tjetrin, e janë këto paragjykime që ushqejnë ksenofobinë. Është pikërisht ksenofobia, nga e cila rajoni ynë ka vuajtur shumë, për një kohë të gjatë”, tha Veseli.