Site icon Telegrafi

Veseli: S’mund të zhvillohet shoqëria dhe ekonomia, nëse gratë përjashtohen prej proceseve

Kryeparlamentari Veseli në konferencën për fëmijët, të organizuar nën patronatin e tij, ku po bëhen publike edhe disa të gjetura të UNICEF-it, ka thënë se Kosova ka përqindjen më të ulët në rajon të fëmijëve të moshës 0 deri në 5 vjeç që ndjekin programe parashkollore, ndërkohë që pothuajse të gjitha programet ekzistuese janë të koncentruara vetëm në zona urbane.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 17% e fëmijëve në Kosovë sot jetojnë në shtëpi ku kryefamiljari nuk ka arsim të përfunduar, ndërsa rreth 30% jetojnë në shtëpi ku kryefamiljari ka kryer vetëm shkollën fillore.

“Ky është një problem shqetësues për zhvillimin e mangët të kapitalit njerëzor të Kosovës, sidomos për fëmijët që jetojnë në kushtet e varfërisë në zona rurale”, ka thënë Veseli.

Sipas tij, është bërë e domosdoshme që në të ardhmen, jo vetëm të ndërtojmë çerdhe, por edhe të ndërmarrim një program kombëtar gjithëpërfshirës për zhvillim gjatë fëmijërisë së hershme.

“Unë jam shumë mirënjohës ndaj UNICEF-it për studimin e bërë dhe rekomandimet shumë objektive të ofruara. Ju siguroj se një ndër prioritetet e mia, në angazhimin tim politik, do të jetë garantimi i shërbimeve mjekësore dhe programeve parashkollore për fëmijët kosovarë, të cilat do t’ua zhvillonin atyre aspektet kognitive, emocionale, sociale dhe fizike”, ka thënë Veseli.

Investimi në arsimin parashkollor nuk është investim vetëm për të ardhmen e burimeve njerëzore, por sipas tij, edhe për të tashmen.

Gjithashtu, duke u marrë seriozisht me fëmijërinë e hershme, Veseli ka thënë se nuk merremi vetëm me të ardhmen e kapitalit tonë njerëzor, por edhe me realitetin aktual të grave të Kosovës.

“Sot, niveli i papunësisë mes grave është veçanërisht i lartë, pasi numri i grave të papuna është katërfish krahasuar me burrat”, ka thënë Veseli.

Sipas të dhënave zyrtare, përqindja e grave të punësuara është më e ulët se në shumë vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore.

Si mund të zhvillohet shoqëria jonë, ekonomia jonë, demokracia jonë, ka thënë Veseli, nëse gratë janë të përjashtuara nga proceset?

Si mund të rritet ekonomia jonë, ka thënë ai, kur tregu ynë i punës funksionon i gjymtuar, kur gjysma e krahut të punës është i përjashtuar nga ekonomia?

“Ajo që dua të them është se investimi që do të bëjmë në rrjetin e çerdheve dhe përkujdesja për arsimin parashkollor, nënkupton që nënat e reja nuk do të kenë nevojë të zgjedhin midis fëmijës dhe punës. Ky angazhim serioz në arsimin parashkollor, do t’ua lehtësojë grave angazhimet e nënës dhe do t’ua mundësojë atyre të jenë më të përfshira në jetën ekonomike, sociale dhe kulturore, në mënyrë më masive e intensive”, ka thënë Veseli. /Telegrafi/

Exit mobile version